.

Keni nxjerrë shtëpinë në Airbnb apo Booking? Tatimet: Paguani taksat, në të kundërt penalizoheni

Kohëve të fundit ka një rritje të atyre që si opsion qiradhënie kanë zgjedhur faqe si Airbnb apo Booking duke i kthyer ato në struktura akomoduese me orientim turistik.

Në këtë valë Drejtoria e Përgjithshme  e Tatimeve u ka bërë thirrje qytetarëve apo bizneseve që të paguajnë detyrimet tatimore në të kundër do të penalizohen sipas hapësirave ligjore.

Deklarata e Tatimeve

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ju bën me dije se të ardhurat e realizuara nga ofrimi i shërbimeve në strukturat akomoduese nga individët apo tatimpaguesit e regjistruar në administratën tatimore nëpërmjet përdorimit të faqeve të rrjetit internet si Booking.com, Airbnb e të tjera të ngjashme, janë të tatueshme, ndërkohë që personat që ushtrojnë këtë aktivitet janë të detyruar të jenë të siguruar për efekt të Kontributeve të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore.

Ju kujtojmë se informacioni i reklamuar në faqet e mësipërme të internetit, është në monitorim nga administrata tatimore, me qëllim identifikimin e atyre individëve, të cilët ushtrojnë këtë aktivitet pa qenë të regjistruar sipas dispozitave të Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Proçedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Çdo person që ofron shërbimin e akomodimit (hotelerisë), brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, kryen një veprimtari ekonomike për të cilën është i detyruar të regjistrohet pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit.

Çdo aktivitet ekonomik i ushtruar në mënyrë të paligjshme, apo e ardhur e padeklaruar e siguruar nga ky aktivitet, konsiderohet shkelje dhe penalizohet në bazë të dispozitave të ligjit proçedurial.

Në mbështetje të Nenit 41, pika 2 e Ligjit Nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Proçedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, bëhet bllokimi i së drejtës për të ushtruar aktivitetin ekonomik e pezullimi i lejes/liçencës për ushtrim veprimtarie për një periudhë gjashtëmujore (për ato subjekte që e disponojnë një të tillë sipas ligjit të turizmit) si dhe vendoset penalitet sipas Nenit 112 të po këtij ligji. /Monitor