.

Insigne kërkon ndjesë, Maradona: Italia e bën tërheqës Botërorin

Lorenzo Insigne ka menduar të shuajë polemikat mbi lënien jashtë të tij, nga ana e trajnerit Ventura, në sfidën e djeshme ndaj Suedisë.

Sulmuesi i Napolit theksoi se respekton dhe pranon zgjedhjet e çdo trajneri, ashtu siç pranoi edhe atë të Venturës, mbrëmjen e të hënës.

“Unë isha stërvitur mirë dhe isha në dispozicion të trajnerit, ashtu siç ishin të gjithë të tjerët. Ventura i besoi disa zgjedhjeve të tjera dhe unë pranova dhe respektova zgjedhjet e tij, ashtu siç kam bërë gjithmonë”, tha napolitani.

Insigne më pas i kërkoi ndjesë edhe publikut italian, për mungesën e kualifikimit, teksa theksoi se të gjitha ata që luajtën, dhanë maksimumin në fushë.

“Dua t’i kërkoj falje të gjithë publikut italian, që i lamë jashtë botërorit, pas 60 vitesh. Nuk ka polemika mbi aktivizimin tim, sepse të gjitha ata që luajtën dhanë maksimumin dhe për këtë ju siguroj”, u shpreh Lorenzo Insigne.

Mungesa e Italisë në Botërorin e Rusisë i ka përfshirë të gjithë, duke futbollistë edhe ish-futbollist.

Ai është argjentinas, por kulmin e karrierës së tij e ka kaluar te Napoli dhe sigurisht që lidhjet me Italinë janë të mëdha. Maradona ka folur së fundmi duke e vlerësuan mungesën e Italisë në Botëror, si më të madhen në histori të futbollit.

“Më vjen shumë keq që Italia nuk do të jetë në Kupën e Botës. Italianët e bëjnë shumë tërheqëse këtë veprimtari dhe mendoj se kjo është një nga mungesat më të mëdha në historinë e kampionateve botërore”, u shpreh Maradona.

“E pashë ndeshjen. Italia luajti ashtu si donte Suedia, me krosime. Suedezët kishin qendërmbrojtës gjigantë. Është shumë e trishtë që nuk do e shohim Italinë në Rusi. Kjo tregon se eliminatoret po bëhen gjithnjë e më të vështira.”