.

Xhepa: Buxheti 2018 nuk e nxit rritjen

Ulja e pragut të TVSH-së në kufirin e xhiros vjetore prej 2 milionë lekësh, nga 5 që është aktualisht, do të rezultojë në një përfshirje në skemën e administrimit të një numri shumë të madh tatimpaguesish, që efektivisht do ta bëjnë skemën joeficiente dhe që më tepër do të prodhojë kosto se sa përfitime ekonomike

 

Nga pikëpamja e ndikimit që mund të ketë buxheti i vitit të ardhshëm mbi rritjen ekonomike, pritshmëritë duhet të jenë modeste. Situata nuk duket entuziaste në lëmin e shpenzimeve, shprehet dr. Selami Xhepa, President i Institutit Europian Pashko. Sipas tij, investimet dhe mbështetja për bujqësinë, për arsimin dhe shëndetësinë mbeten në nivele shumë të ulëta.

Më tej Xhepa thotë se në lidhje me Paketën Fiskale 2018, përjashtimet fiskale ishin një politikë që përdorej në fillimet e viteve ’90 dhe ato tashmë janë joefektive, kundërproduktive dhe nuk prodhojnë asnjë përfitim ekonomik për vendin që i zbaton. Ai e sheh të rrezikshme paketën e financimeve të “one bilion” me projekte PPP, si për sa i përket borxhit publik dhe produktit final që do të ofrohet nga këto projekte.

Xhepa e shikon me shqetësim faktin se Këshilli i Ministrave ka marrë kompetenca mbi politikën fiskale, të cilat sipas Kushtetutës janë prerogativë e Parlamentit: të tilla si përcaktimi i kufirit të përjashtimit për aplikimin e TVSH-së, modalitetet e administrimit në afate të ndryshme për kategori të caktuara biznesesh.

A ka hartuar qeveria një projektbuxhet realist dhe të prioritizuar për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik?

Nga pikëpamja e planifikimit të treguesve buxhetorë, më posaçërisht të të ardhurave dhe deficitit fiskal, mendoj se ka një planifikim realist. Një rritje e të ardhurave me rreth 6.5% reflekton në thelb rritjen e prodhimit e të brendshëm në terma nominalë. Për pasojë, në raport me PBB-në nuk pritet të grumbullohen më shumë të ardhura: mbeten në 28.1% e PBB-së sa çfarë është edhe aktualisht.

Nga ana tjetër, shpenzimet buxhetore nuk pësojnë ndonjë ndryshim të fortë strukturor: përfundim projektesh infrastrukturore të nisura dhe vazhdimësi e projekteve të rilindjes urbane. Zhvillim pozitiv dhe që e mbështet rritjen ekonomike të qëndrueshme në afat të gjatë janë rritja e investimeve publike në raport me vitet e kaluara, edhe pse sërish ato në raport me PBB-në mbeten në nivelet normale që ka historikisht ekonomia prej rreth 5% të PBB-së. Po kështu, reduktimi i deficitit buxhetor, duke kufizuar huamarrjen, mendoj se është pozitiv dhe i kontribuon pozitivisht qëndrueshmërisë ekonomike dhe financiare të vendit.

Nëse futemi në detaje të shpenzimeve buxhetore, duket se situata nuk duket entuziaste. Investimet dhe mbështetja për bujqësinë, për arsimin dhe shëndetësinë mbeten në nivele shumë të ulëta. Pavarësisht se investimet në sistemin arsimor janë disi më të shtuara se vitin aktual, ato janë sërish shumë modeste dhe në raport me prodhimin kombëtar.

Totali i shpenzimeve për bujqësinë është rreth 100 milionë euro; për sistemin arsimor dhe shëndetësinë rreth 350 milionë euro secila. Për projektet që shkojnë në mbështetje të zhvillimit ekonomik janë planifikuar më pak se 2 milionë euro dhe për tregun e punës vetëm rreth 1 milion euro. Pra, nga pikëpamja e ndikimit që mund të ketë buxheti i vitit të ardhshëm mbi rritjen ekonomike, pritshmëritë duhet të jenë modeste.

Nëpërmjet projektbuxhetit 2018 autorizohen mbi 9 miliardë financimeve për koncesionet PPP. A po rrezikon qeveria ta rrisë borxhin real publik përtej raportimit ligjor?

E kam shprehur në shumë raste se projekti i njohur si “1 billion”, ku qeveria do të koncesionojë në formë partneriteti publik-privat projekte publike në vlerën e 1 miliard dollarëve, ngre shqetësime serioze sa u takon efekteve që këto borxhe të nënkuptuara publike do të kenë mbi stabilitetin e financave publike të vendit. Sido që të serviret politikisht kjo iniciativë, në analizë të fundit këto para do t’u kthehen privatëve në formën e taksave të shtuara të ardhshme dhe duke u kontabilizuar në pasqyrat e financave publike, treguesit e borxhit publik do të duken kërcënuese.

Të mos harrojmë se edhe sot, buxheti shtetit shpenzon rreth 350-400 milionë euro për shërbimin e borxhit. Duke planifikuar në të ardhmen një shumë edhe më të lartë pagesash për këto projekte, barra e pagesave të interesave dhe borxheve të maturuara do të tejkalonte edhe shifrën e investimeve publike. Herët apo vonë, buxheti do të rrezikohej seriozisht, prandaj gjykoj se qeveria duhet ta rimendojë seriozisht këtë projekt.
Rreziku i dytë serioz janë procedurat aspak transparente të prokurimit të projekteve të kësaj natyre. Siç e nënvizoi së fundmi edhe një shqetësim i Bankës Botërore, Shqipëria ka probleme serioze në kontrollin e korrupsionit. Projekte si ky nuk bëjnë gjë tjetër veçse krijojnë më shumë hapësira abuzuese dhe korrupsion.

Paketa Fiskale 2018 ka nxitur ndërtimin e hoteleve me 5 yje, duke i përjashtuar ato nga taksat, ndërkohë që kërkesa për turizëm në Shqipëri nuk i përket kësaj kategorie. A keni një vlerësim për efektet e kësaj pakete?

Në nismat sektoriale dukshëm sektori i turizmit dhe industritë e teknologjive të komunikimit dhe informacionit (ICT) janë të favorizuara. Por turizmi është padyshim më i përkëdheluri pasi përjashtimet tatimore janë të shumta. Megjithatë, duket se këto ndryshime, përjashtuar zbritjen e normës unike të TVSH-së, janë planifikuar të prekin vetëm një kategori të caktuar biznesi: hotelet me 4-5 yje të cilat në Shqipëri përfshijnë një numër shumë të kufizuar biznesesh. Për më tepër, ata që përfitojnë pritet të jenë firmat e mëdha që mund të vijnë në Shqipëri, si Hilton apo ndonjë markë tjetër.

Mendoj se përjashtimet që janë dhënë, duke mos ndikuar pjesën më të madhe të operatorëve turistikë, do të kenë efekte modeste. Po kështu, pjesa më e madhe e turizmit në Shqipëri nuk është ajo elitare, por turizmi masiv. Mënyra se si është konceptuar lë shteg për të besuar se këto janë nisma të lobuar fort nga një grup interesi influencues, me efekte përfituese për një grup të vogël, por jo për një popullatë të gjerë, siç është industria e shërbimit turistik. Pra, nëse reduktimi normës së TVSH është pozitive dhe mund të ndikojë në konkurueshmërinë e sektorit, përjashtimet e tjera janë diskriminuese në raport me segmentet dhe operatorët e tjerë ekzistues.

Për shembull, një hotel me 5 yje që sapo është ndërtuar dhe ka filluar të operojë do të jetë subjekt i tatimit mbi fitimin si dhe ka paguar taksat e ndikimit në infrastrukturë, ndërsa ato që mund të fillojnë vitin e ardhshëm do të jenë të përjashtuar nga këto detyrime. Metodat e përjashtimeve ishin një politikë që përdorej në fillimet e viteve ’90 dhe ato tashmë janë gjetur se janë joefektive, kundërproduktive dhe nuk prodhojnë asnjë përfitim ekonomik për vendin që i zbaton.

FMN dhe Dhoma Amerikane e Biznesit janë të shqetësuara se, Këshilli i Ministrave i ka përqendruar kompetencat për të përcaktuar disa modalitete të TVSH-së me VKM duke shkelur parimin kushtetues. A është i drejtë ky shqetësim sipas jush?

Ulja e pragut të TVSH-së në kufirin e xhiros vjetore prej 2 milionë lekësh, nga 5 që është aktualisht, do të rezultojë në një përfshirje në skemën e administrimit të një numri shumë të madh tatimpaguesish, që efektivisht do ta bëjnë skemën joeficiente dhe që më tepër do të prodhojë kosto se sa përfitime ekonomike. Kostot e shtuara të biznesit në mbajtjen e dokumentacionit dhe ndjekjen e procedurave të rimbursimit, bashkë me moskreditimin në afatet e shpejta kohore siç ndodh rëndom në praktikën e derisotme, do të bëjnë që shumë biznese të vogla të falimentojnë. Kjo besoj se është një nga vërejtjet më të rëndësishme.

Po kështu, Këshilli i Ministrave ka kërkuar të marrë kompetenca mbi politikën fiskale, të cilat sipas Kushtetutës janë prerogativë e Parlamentit: siç janë përcaktimi i kufirit të përjashtimit për aplikimin e TVSH-së, modalitetet e administrimit në afate të ndryshme për kategori të caktuara biznesesh, etj. Edhe pse duket se qëllimi i përcaktimit të afateve tremujore për procedurat e administrimit të TVSH-së mund të ndërmerret për të lehtësuar bizneset e vogla që do të përfshihen në skemë, sërish këto modalitete duhen kryer sipas përcaktimeve ligjore dhe jo me vendime qeverie. Në këtë rast, mendoj se qeveria i tejkalon kompetencat që i jep Kushtetuta. / Monitor