.

Qeveria vendos: Kufiri i TVSH ulet në 2 milionë lekë për të gjithë, përveç hoteleve dhe prodhimeve bujqësore

Pavarësisht rekomandimit të FMN-së dhe paralajmërimit të ekspertëve, qeveria shqiptare ka vendosur uljen e kufirit të TVSH-së nga 5 milionë lekë në 2 milionë lekë, me përjashtim të hoteleve dhe prodhuesve bujqësorë.

Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave është vendosur: “Në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 2 000 000 (dy milionë) lekësh në një vit kalendarik, përveç rasteve të përcaktuara në pikat 2 dhe 3, të këtij neni.”.

Neni dy parashikon që “Në pikën 2, fjalët “… si dhe kryejnë veprimtari ekonomike në fushën e hotelerisë… ”, hiqen”.

Nëni tre parashikon që “Kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar, për prodhuesit bujqësorë që i nënshtrohen regjimit të veçantë, skema e kompensimit të prodhuesve bujqësorë, është qarkullimi prej 5 000 000  (pesë milionë) lekësh në një vit kalendarik.”.

Ndonëse ministri i financave Ahmetaj kishte deklaruar se në skemën e TVSH-së do të futeshin vetëm 9 mijë biznese dhe disa kategori si psh berberët, ambulantët do të përjashtoheshin, në ligj përjashtimet janë vetëm për prodhuesit bujqësorë dhe shërbimin e turizmit.

Vlerësohet se janë mbi 60 mijë biznese që sot operojnë pa TVSH.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”, me përjashtim të pikës 1, të nenit 2, të këtij vendimi, e cila hyn në fuqi në datën 1 prill 2018.

FMN dhe ekspertët kundër

Fondi Monetar Ndërkombëtare ishte shprehur fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së për bizneset e vogla. “Pas vlerësimeve të shumta nga ekspertët tanë të taksave, ne e kemi këshilluar qeverinë fuqimisht kundër uljes së kufirit të TVSH-së nga niveli aktual. Ndërmarrjet e vogla përbëjnë gjysmën e të gjithë bizneseve, por sjellin vetëm 2% të transaksioneve të taksueshme. Zgjerimi i sistemit të TVSH-së do të jetë një barrë shumë e rëndë për burimet e departamentit të taksave. Informaliteti dhe evazioni i taksave mund të rritet dhe eficenca e administratës së taksave ka të ngjarë të bjerë. Sipërmarrjet e vogla do të mund të përballen gjithashtu me një barrë të shtuar të kërkesave për raportime. Ne e kemi këshilluar gjithashtu qeverinë që të thjeshtojë sistemin e taksave, përfshirë heqjen e përjashtimeve dhe unifikimin e kufirit (p.sh., ai i zbatuar për TVSH-në, tatimin e korporatave dhe tatimin mbi të ardhurat personale). “, ka pohuar Përfaqësuesi i Përhershëm i FMN-së, në Shqipëri, Jens Reinke.

Arben Malaj, ish ministër i financave, ka pohuar se ndonëse kjo praktikë po bëhet, sipas argumenteve të qeverisë për të luftuar informalitetin, praktika ka treguar që kur i fut të gjitha bizneset njëherësh në një skemë, kjo të çon në rritjen e informalitetit.

Ndërsa Dhoma Amerikane ka shprehur shqetësimin që kufiri I TVSH-së iu la në dorë të vendoset Këshillit të Ministrave çka është një shkelje e Kushtetutës. {Nga leximi i projektligjeve të propozuara si pjesë e Paketës Fiskale 2018, anëtarët e Dhomës janë të mendimit që këto projektligje përcaktojnë vetëm disa parashikime të përgjithshme dhe lënë një hapësirë të madhe për plotësim nga ana e Këshillit të Ministrave. Sipas nenit 155 të Kushtetutës së Shqipërisë “Taksat, tatimet dhe detyrimet financiare kombëtare e vendore, lehtësimi ose përjashtimi prej tyre i kategorive të caktuara të paguesve, si dhe mënyra e mbledhjes së tyre, caktohen me ligj”}, ka pohuar Dhoma në komentet për paketën fiskale.

Kryetari i Shoqatës së Biznesit të Vogël, Albert Nasta ka pohuar se  vendosja e TVSh-së për biznesin e vogël nuk është e pranueshme nga ana e tyre dhe se po lobojnë fuqishëm si shoqatë që të mos aplikohet shtrirja e pragut të TVSH-së, si dhe do ta çojnë rastin në kushtetuese me mbështetjen e deputetëve.

 Si do zbatohet TVSH-ja 6% për furnizimin
Vendimi i Këshillit të Ministrave ka sqaruar edhe Kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e shkallës së reduktuar për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese
. Në zbatim të pikës 3, të nenit 49, të ligjit, shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, është 6 për qind.
Për qëllime të zbatimit të shkallës së reduktuar të TVSH-së, me termin “furnizim i shërbimit të akomodimit” nënkuptohet furnizimi i shërbimit të fjetjes në strukturat akomoduese, sipas legjislacionit për turizmin, pa përfshirë furnizimin e ushqimit apo çdo furnizim tjetër, të ofruar nga këto struktura. Përjashtimisht, “furnizimi i shërbimit të akomodimit” nënkupton, përveç shërbimit të fjetjes, edhe furnizimin e ushqimit (mëngjesit), në rastet kur struktura akomoduese e ofron mëngjesin brenda çmimit të furnizimit të shërbimit të fjetjes.
Personi i tatueshëm, i cili ushtron veprimtari në fushën e akomodimit në strukturat akomoduese, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës për turizmin, evidenton veçmas në faturë furnizimin e shërbimit të akomodimit, për të cilin aplikon shkallën e reduktuar të TVSH-së, në masën 6 për qind. Për çdo furnizim tjetër të tatueshëm, të ofruar në strukturat akomoduese, personi i tatueshëm aplikon shkallën standarde të TVSH-së, 20 për qind, sipas përcaktimeve në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë.
Personat e tatueshëm, që aplikojnë shkallën e reduktuar të TVSH-së sipas këtij neni, janë personat që ushtrojnë vetëm veprimtari ekonomike në fushën e strukturave akomoduese, sipas legjislacionit të fushës për turizmin. Nëse personi i tatueshëm ushtron edhe veprimtari të tjera, përveç asaj në fushën e strukturave akomoduese, atëherë duhet të jetë i regjistruar si person i tatueshëm më vete, për qëllime të veprimtarisë në fushën e strukturave akomoduese.
Aplikimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së nuk kufizon të drejtën e zbritjes së TVSH-së. Zbritja e TVSH-së lind dhe ushtrohet në përputhje me përcaktimet e ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë.

 

V E N D I M

PËR

 

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË VENDIMIN NR.953, DATË 29.12.2014, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR.92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

 

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 159, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

 

V E N D O S I:

 

Në vendimin nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

 

Neni 1

Në nenin 8 bëhen këto ndryshime:

  1. Pika 3 riformulohet, me këtë përmbajtje:

“3. Lista e makinerive dhe pajisjeve, që janë drejtpërdrejt të lidhura me investimin dhe makineritë bujqësore, është përcaktuar në anekset 1 dhe 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi. Lista e kodeve të aneksit 2 aplikohet për importet e subjekteve me aktivitet peshkimi, përfituese të përjashtimit nga taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe akciza për gazoilin, sipas përcaktimeve në udhëzimin nr.18, datë 15.6.2015, “Për procedurat dhe kriteret e furnizimit të anijeve të peshkimit me karburant (gazoil), me përjashtim nga taksa e qarkullimit, taksa e karbonit dhe akciza.”.”.

  1. Shkronja “b”, e pikës 4.2, shfuqizohet dhe në fund të kësaj pike shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:

“Autoriteti doganor e plotëson dokumentacionin e mësipërm me kopje të ekstraktit të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB), ku të jetë specifikuar se aktiviteti ekonomik është në fushën e përpunimit aktiv. Gjithashtu, verifikimi nëse ka ose jo autorizimin e lëshuar nga autoriteti doganor si tatimpagues në regjimin e përpunimit aktiv kryhet brenda strukturave doganore.”.

  1. Shkronja “b”, e pikës 4.3, shfuqizohet dhe në fund të kësaj pike shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:

“Autoriteti doganor e plotëson dokumentacionin e mësipërm me kopje të ekstraktit të QKB-së, ku të jetë specifikuar se aktiviteti ekonomik është në fushën e agrobiznesit.”.

  1. Shkronjat “b” dhe “c”, të pikës 4.4, shfuqizohen dhe në fund të kësaj pike shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:

“Autoriteti doganor e plotëson dokumentacionin e mësipërm me vërtetimin nga Drejtoria Rajonale Tatimore se importuesi është person i tatueshëm, që i nënshtrohet regjimit të biznesit (ndërmarrjeve) të vogël dhe ushtron aktivitet prodhues, si dhe me kopje të ekstraktit të QKB-së.”.

  1. Në pikën 4.5, paragrafi i tretë, që fillon me fjalët “…Në rastin e tatimpaguesve të tjerë…”, shkronjat “b” dhe “c” shfuqizohen dhe në fund të kësaj pike shtohet paragrafi me këtë përmbajtje:

“Autoriteti doganor e plotëson dokumentacionin e mësipërm me vërtetimin nga Drejtoria Rajonale Tatimore se importuesi është person i tatueshëm si dhe me kopje të ekstraktit të QKB-së.”.

 

Neni 2

Në nenin 11 bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

 

  1. Pika 1 ndryshon, me këtë përmbajtje:

“1. Në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 2 000 000 (dy milionë) lekësh në një vit kalendarik, përveç rasteve të përcaktuara në pikat 2 dhe 3, të këtij neni.”.

  1. Në pikën 2, fjalët “… si dhe kryejnë veprimtari ekonomike në fushën e hotelerisë… ”, hiqen.
  2. Pas pikës 2 shtohet pika 3 me këtë përmbajtje:

“3. Kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar, për prodhuesit bujqësorë që i nënshtrohen regjimit të veçantë, skema e kompensimit të prodhuesve bujqësorë, është qarkullimi prej 5 000 000  (pesë milionë) lekësh në një vit kalendarik.”.

 

Neni 3

Pas nenit 11 shtohet neni 11/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 11/1

Kushtet, kriteret dhe procedurat për zbatimin e shkallës së reduktuar për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese

  1. Në zbatim të pikës 3, të nenit 49, të ligjit, shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese, sipas kategorive të përcaktuara në legjislacionin e fushës së turizmit, është 6 për qind.

Për qëllime të zbatimit të shkallës së reduktuar të TVSH-së, me termin “furnizim i shërbimit të akomodimit” nënkuptohet furnizimi i shërbimit të fjetjes në strukturat akomoduese, sipas legjislacionit për turizmin, pa përfshirë furnizimin e ushqimit apo çdo furnizim tjetër, të ofruar nga këto struktura. Përjashtimisht, “furnizimi i shërbimit të akomodimit” nënkupton, përveç shërbimit të fjetjes, edhe furnizimin e ushqimit (mëngjesit), në rastet kur struktura akomoduese e ofron mëngjesin brenda çmimit të furnizimit të shërbimit të fjetjes.

Personi i tatueshëm, i cili ushtron veprimtari në fushën e akomodimit në strukturat akomoduese, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës për turizmin, evidenton veçmas në faturë furnizimin e shërbimit të akomodimit, për të cilin aplikon shkallën e reduktuar të TVSH-së, në masën 6 për qind. Për çdo furnizim tjetër të tatueshëm, të ofruar në strukturat akomoduese, personi i tatueshëm aplikon shkallën standarde të TVSH-së, 20 për qind, sipas përcaktimeve në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë.

Personat e tatueshëm, që aplikojnë shkallën e reduktuar të TVSH-së sipas këtij neni, janë personat që ushtrojnë vetëm veprimtari ekonomike në fushën e strukturave akomoduese, sipas legjislacionit të fushës për turizmin. Nëse personi i tatueshëm ushtron edhe veprimtari të tjera, përveç asaj në fushën e strukturave akomoduese, atëherë duhet të jetë i regjistruar si person i tatueshëm më vete, për qëllime të veprimtarisë në fushën e strukturave akomoduese.

Aplikimi i shkallës së reduktuar të TVSH-së nuk kufizon të drejtën e zbritjes së TVSH-së. Zbritja e TVSH-së lind dhe ushtrohet në përputhje me përcaktimet e ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë.

  1. Në përputhje me pikën 1, të këtij neni, me qëllim aplikimin e shkallës së reduktuar të TVSH-së, personat e tatueshëm, të cilët, përveç veprimtarisë në fushën e strukturave akomoduese, kryejnë edhe veprimtari të tjera, regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit si persona të tatueshëm më vete, duke riorganizuar ose jo veprimtarinë e tyre ekonomike, siç përcaktohet në ligjin nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.”.

 

Neni 4

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”, me përjashtim të pikës 1, të nenit 2, të këtij vendimi, e cila hyn në fuqi në datën 1 prill 2018.