.

Ulja e kredive me probleme, bankat trefishojnë fitimet për 9 mujorin, arrijnë nivele rekord

Sistemi bankar ka arritur në nivele fitimesh rekord në 9 muajt e parë të këtij viti, sipas statistikave të publikuara nga Banka e Shqipërisë.

Për periudhën janar-shtator 2017, fitimi i sistemit arriti në 16.9 miliardë lekë, duke u rritur me 161% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ky është niveli më i lartë i fitimeve i arritur nga sistemi, që nga viti 1999, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat.

Arsyeja kryesore e kësaj rritjeje të lartë të fitimeve lidhet me uljen e shpenzimeve për provigjionime (fondet që bankat vënë mënjanë për të mbuluar kreditë e pakthyera në afat nga bankat). Për 9 mujorin, shpenzimet për provigjionime ishin vetëm 1.6 miliardë lekë, me një rënie prej 87% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke bërë që sistemi të rikuperojë rreth 12 miliardë lekë.

Më herët guvernatori i Bankës së Shqipërisë njoftoi se huatë me probleme shënuan një tjetër rënie gjatë muajit shtator, duke zbritur në 14.7%, duke arritur një tjetër rekord, teksa ku është niveli më i ulët i regjistruar që nga tremujori i parë i vitit 2011, kur ky tregues ishte 14.4%.

Ulja e kredive me probleme ka bërë që bankat të rikuperojnë fondet që i kishin lënë si provigjione.

Ndërkohë, të ardhurat neto si nga interesi, ashtu dhe nga aktivitete të tjera kanë qenë në rënie. Të ardhurat neto nga interesi ranë me 4% në 33.3 miliardë lekë.

Të ardhurat neto nga aktivitete të tjera ranë me 12% në 6.4 miliardë lekë.

Për shkak të shpenzimeve për provigjione, sistemi bankar ka shënuar luhatje të mëdha nga njëri vit në tjetrin. Pas humbjeve në vitin 2013, sistemi e mori veten në 2015-n, ndërsa në 2016-n fitim u përgjysmua sërish, për të arritur nivele rekord në 2017-n (shih grafikun). Monitor

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *