.

Kulaçi dhe kërbaçi i ndërkombëtareve

Nga Artan Hoxha

 

Të premten Italia zbarkoi në Tiranë me përfaqësuesit më të lartë të agjencive të saj antikrim, me në krye-ministrin e vet të brendshëm. Rilindja u rrek ta shiste si mbështetje dhe provë të suksesit të arritur. Italianët i dhanë një copëz kulaç me plot kërbaç nga pas. Jua do puna.

Ndërkombëtarët marrin për të mirëqenë atë qeveri që është në fuqi në atë moment. Me të do lidhin e do zbatojnë marrëveshje. Në çdo marrëveshje do japësh e do marrësh, jo vetëm materialisht, por edhe ca propagandë. Edhe me qeverinë më të keqe, edhe me qeverinë që mund t’i ketë ditët e numëruara.

Italianët, që i zuri belaja me krimin e drogën shqiptare veçanerisht 2 vitet e fundit, për të marrë maksimumin e mundshëm nga Rilindja, qeveria e së cilës ishte dhe është ne pushtet si nje realitet pavarësisht tyre, i kanë dhënë ca kulaç me njërën dorë, por me tjetrën, sa hapur aq fshehur, i kanë dhënë kërbaç sa i ka ngrënë krahu.

Kjo ka ndodhur edhe këto muaj pas zgjedhjeve, edhe dje në Tiranë. Shifrat e dhëna mbi mbjelljen, përhapjen dhe shkatërrimin e kanabisit tregonin se vera 2017 dukej edhe si një farë suksesi i konfirmuar nga italianët krahasuar me mynxyrën 2016. Por edhe para një viti, po aty në Pallatin e Kongreseve, italianët nuk ia prishën festën rilindësve. As para dy vitesh, as para tre vitesh, asnjëherë. Gjithnjë kanë dhënë ca kulaç për të dhënë më shumë kërbaç.

Në fakt, shifrat e publikuara të premten në konferencën e madhe italo-shqiptare flasin vetë e shpjegojnë më së miri se ç’ka ngjarë në vitet 2013-2017 me kalimin nga Lazarati i famshëm, por i rrethuar tek Shqipëria e lazaratizuar cep me cep e me kufij të shpartalluar për trafik kanabisi e drogash gjithfarëlloj, në rruge tokësore, detare dhe ajrore.

Ndërkombëtarët, italianët në veçanti, e lëvduan Rilindjen për aksionin në Lazarat në verën 2014. I dhanë bonus të plotë. Shpejt panë se droga e krimi i organizuar po rriteshin e përhapeshin masivisht. Vetë shifrat italiane tregojnë se përhapja e kultivimit jashtë Lazaratit filloi seriozisht që në 2014-tën e, në vend që të dekurajohej pas shkatërrimit të bazës lazaratëse siç duhej të kishte ndodhur, u zgjerua në 2015-ten, eksplodoi në 2016-tën. Për rrjedhojë, në verën e 2016-tën ndërkombëtarët e vendosën Shqipërinë nën moratorium të rrepte edhe de facto edhe pjesërisht de jure.

Afërmendësh që edhe italianët edhe ndërkombëtaret e tjerë nuk i hanë dokrrat rilindëse, por për aq sa ua do puna, bëjnë sikur i hanë dhe lëshojnë ndonjë lëvdatë si kulaç ndërsa e rrethuan Shqipërinë kanabiste, e monitoruan intensivisht, kapën sa munden nga trafiku i drogës dhe bandat shqiptare, e demaskuan ndërkombëtarisht përmes medieve të tyre, inflitruan në medie, institucione të tjera shtetërore jashtëqeveritare e deri tek opozita informacione demaskuese, presuese, ndëshkuese për Rilindjen dhe eksponentë të saj në qeveri, polici, kudo.

Për momentin kjo fare Shqipërie, e rilindur me drogë e krim të organizuar në simbioze me shtetin dhe pushtetin, është vënë nën kontroll e, ca me kulaç, por më së shumti me kërbaç, po detyrohet të bashkëpunojë.

Megjithatë, ndërkombëtarët e dinë fare mirë se nuk e kanë mposhtur këtë lloj Shqipërie. Ndaj do vazhdojnë fort kërbaçin, herë pas here me ca kulaç.

© SYRI.net

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *