.

A do të kemi një koalicion të hapur PD-LSI?

Parlamenti shqiptar, si rradhë herë, është i ndarë në trish : pjesën e luanit e zë shumica qeverisëse, ndrësa opozita, e ndarë dyshas, zë pjesët e tjera. Çuditërisht në opozitë është një pjesë e së majtës dhe e djathta, në të cilën janë bërë bashkë edhe republikanët e Mehdiut, me një deputet të falur para 25 qershorit dhe të tjerë të transportuar pas kësaj date, dhe, Nard Ndoka, që nuk e di askush se cilit grupim i takon, pasi ka lëvizur lirisht nga e majta në të djathtë, sipas llokmës që i kanë dhënë. Të kesh deputet edhe një “kalibër “ të tillë politik si ai dhe Noka tjetër, tani i Kukësit, dhe të mbash një seancë për “Grupin e Deputetëve” të vitit 1946, është pak të vësh dy duart në kokë. Rrokullisja e pashoqe drejt mediokritetit dhe vulgaritetit.

Por kjo nuk është temë e këtij shënimi. Opozita, një pjesëz e së majtës dhe e djathta, që para se të fllonte punimet ky parlament i ri, kishte përcaktimin e qartë se cila nga pjesët do të ishte opozita e vërtetë. Në dy kampet e opozitës, liderët ose pasues të saj, kishin një deklaratë të përbashkët: ne do të jemi opozita e vërtetë. Ky ishte lejtmotivi deri në ditën e tashme. Si duket , punët po ndryshojnë.

Shenjat që janë dhënë janë tepër të dukshme. Dy pjesët e opozitës, pa u shkrirë tek njëra tjetra, do të krijojnë së shpejti një front të përbashkët kundër qeverisë. E drejtë e tyre. Gjithëherë opozita duhet të jetë përballë elitës qeverisëse dhe të ketë mendimin e saj politik, financiar dhe shoqëror. Për ndryshe ajo , jo vetëm është e padobishme, por edhe regresive. Një opozitë e mekur, shtojcë e pushtetit dhe anemike do krijojë hapësirën për të abuzuar me pushtetin pikërisht shumica qeverisëse. E po ashtu, një opozitë mohuese, pa ide dhe agresive, thjeshtë për dëshmi e një force politike që është e ashpër, është po ashtu e dëmshme, pasuese e një mendimi hulihan në parlament dhe e pavlerë.

Janë dhënë të gjitha shenjat se mes dy forcave politike në opozitë do të kemi një bashkësi veprimi, pa u shkrirë tek njëra tjetra politikisht, por duke u njësuar në aksionet, mendimet, veorimet dhe në agresivitetin e tyre politik, njerëzor e instiucional. Nëse LSI ende sot duket disi më e matur dhe jo edhe aq e kapur nga kriza e mungesës së pushtetit dhe PD, krejt ndryshe, është në vazhdën e aksionit të saj bllokues, agresiv dhe destruktiv deri në palcë, kjo nuk përbën ndonjë problem të pazakontë për njësimin e ideve , duke patur secila forcë rolin e saj dhe secili lider një paraqitje të ndryshme, por në kontekstin e njëri tjetrit.

Dita kur dy forcat politike opozitare do të kenë njësimin e tyre, jo politik, por parlamentar, nuk është e largët dhe ajo nuk ka filluar nga momenti kur Basha i puth faqen zonjës Kryemadhi, apo kur shefi i grupit parlamentar lësëist, Vasili, vendos një firmë në të njëjtën dokument ku kanë fillesën kolegët e tij demokratë. Momentet e shfaqura nuk janë vaçse vazhdë e një mendimi të përbashkët politik për të patur një rikthim të shpejtë në qeverisje dhe për të gjetur veten në një kontekst të ri politik.

Se cilat forca bashkohen e cilat mbetin jashtë bashkimeve, kjo është në vetë idetë, vizionet dhe përcaktimet e partive politike. Ata mund të ndahen e bashkohen sa herë të duan, brenda e jasahtë parlamentit, mund të bëjnë dhe zhbëjnë projekte e plane të përbashkta ose të veçuara si të duan e me kë të duan. Politika, si arti i të mundshmes, të lejosh të dalësh edhe kundër vetes për hatëpr të pushtetit, ashtu si të lejon të mohosh ata që të kanë ndihmuar për të ardhurnë pushtet dhe për të gjetur burime të reja, të cilat, edhe nëse nxjerrin ujë, shterrojnë shumë shpejt.

Kështu që, edhe Basha e Kryemadhi, mund të ndahen e të bashkohen sa herë të duan. Lehtësia metë cilën bëhe këto gjëra në Shqipëri është proverbiale. Që para zgjedhjeve të 25 qershorit, kur tri forcat e mëdha dolën në vete, në fakt PD ishte edhe me disa paterica, LSI e bëri të qsartë pishmanllëkun që nuk ishin bërë bashkë me herët me PD-në. Malli për kohën kur ishin bashkë me Berishën në qeverisje ishte i dukshëm, ashtu si edhe pishmanllëku që katër vite më parë, ndoshta rastësisht, ishin bërë bashkë me PS-në, çka drejtuesja e sotme e LSI, zonja Kryemadhi, kishte qenë kundër. Ndryshe nga kolegët e saj në parti, që ditën mburrnin bashkëqeverisjen me socialistët dhe atën hidhnin atë çka mund të hidhnin, zonja Kryemadhi ishte e sinqertë. Ajo nuk e kishte dashur bashkëqeverisjen me PS. Kishte dashur bashkëqeverisje me PD-në. Tani, si duket, po vjen koha, që, jo në qeverisje, por në opozitë, të jenë edhe një herë sëbashku.

A do të ishte e vyer kjo për jetën e vendit e, njëkohsisht, edhe për vetë parlamentin tonë?

Ka disa arsye që më çojnë drejt mendimit se pas kësaj do të kishim vetëm dy tabllo parlamentare: njëra rozë deri në mavi, tjetra e errët deri në të zezë të thellë.

1.LSI dhe PD, në paraqitjen e tyre politike e programore, njëra e së majtës dhe tjetra e së djathtës, kanë programe të ndryshme, fizionomi të ndryshme dhe pikësynime të ndryshme. Njëra, PD, rreh të mbrojë pozitat dhe synimet e një klase politike afër saj, që është drejt oligarkisë financiare, të pasurit, shtresat që jwetojnë mbi mesataren e vendit. Tjetra, LSI, i përket, të paktën politikisht, së majtës, më e moderuar në program dhe me synimin për të mbrojtur shtresat e varfëra dhe të rinjtë e vendit. Nëse PD ka si prioritet të saj politik të rëndësishëm ish të përndjekurit, që në fakt i ka harruar,por ku do të synojë të rikthehet një ditë; LSI ka të rinjt, shtresat e punësuara, thjeshtë sepse kanë qenë antarë të saj, të cilët ashtu si mund të vijnë nga ish klasat e përndjekura, po ashtu, e ndoshta më shumë, mund të vijnë nga një kontigent që ishte i lidhur me pushtetin monist. Brenda LSI-së, ashtu si edhe brenda kupolës drejtuese të PD-së, ka shumë herë më tepër njerëz që vijnë nga familje të lidhura me pushtetin monist, se sa të deklasuar t dikurshëm.

2.PD dhe LSI, në arenën politike ndërkombëtare, u takojnë dy grupimeve të ndryshme të mëdha politike ndërkombëtare, të cilat, në çështjet e shtetit shqiptar, kanë endime, përparsi dhe mbështetje të ndryshme, sa që duken që larg që njëra prej tyre të duket si vazhdim i socialistëve shqiptarë e tjera si mbaresë e demokratikasve tanë. Sa herë që ata thirren të arbitrojnë, jo vetëm që Parlamenti Evropian sjell dy arbirtra të tillë, por që të dy largohen duke mos thënë asgjë tjetër, veç asaj që kanë dëgjuar nga forcat që mbështetin. Si do të veprojë në ktë rast LSI, kur Eurosocialistët evropianë, si e kanë traditë, do të vijnë të mbrojnë shumicën qeverisëse, po ashtu socialoiste, e në kahun e kundërt do të jenë lësëistët, pjesë e të njëjtës strukturë?

3.Qeverisja e përbashkët PD dhe LSI, në vitet 2009 deri në prill 2013, ka qenë më e keqja e mundshme e gjithë këtyre viteve pluraliste. Më e keqe se kjo qeveri e përbashkët nuk mund të bëhet. Një bashkim politik i panatyrshëm dhe një ndarje e tortës së pushtetit matematikisht që lejonte abuzimin, vjedhjen, korrupsionin masiv e deri vrasjet në mesin e Tiranës. LSI mori në tavolinë 25 për qind të pushtetit, kur nuk kishte as tre për qind të votave. PD lejoi këtë ndarje, sepse nuk mund të qeveriste fillimisht pa katër apo pesë votat e lësëistëve. Domosdoshmëria e qeverisjes solli ndarjen e pushtetit me thikë bizante dhe mbylljen e syve deri në maksimumin e mundshëm. Kulmi i kësaj qeverisje ishte masakra e 21 janarit, që jo vetëm nuk kishte ndëshkimin e saj, por edhe nuk do e ketë edhe më pas. Dy forcat politike që ishin në qeverisje nuk shkundën as pluhurin nga këmbët e tyre për atë që kishte ndodhur.

Një bashkëopozitë, si një parathënie për një bashkëqeverisje, nëse ajo do të jetë si ishte në vitin 2009, është ogurzezë. Nëse dy palët i ka marrë malli kaq shumë për pushtetin, opozitën e tyre mos ta fillojnë përmes sharjeve , mallkimeve, dëshmisë së forcës apo të “mençurisë”!, por përmes një vizioni krejt tjetër për rolin e opozitës.

4.Një përbashkim mes PD dhe LSI do të sillte një forcë të vetme të së majtës në vitet e ardhshme. Kjo është në të mirën e qeverisjes së sotme, pasi propoganda e saj do të jetë më e lehtë për të shkuar drejt njerëzve. Ajo, për katër viet e shkuara, do të gjejë gjithnjë një fajtor: bashkëqeverisësit lësëistë, ndërsa për vitet që do të qeverisë në vazhdim do të ketë përherë justifikimin se ballë saj nuk janë idetë, por lufta e paskrupullt për pushtet, duke mohuar gjithçka.

Punët e partive janë punët e tyre dhe askush nuk ka ndër mend t’u futet në mes, pasi edhe mes nuk lënë. Kjo tërheqja drejt njëra tjetrës, për të krijuar frontin e përbashkët, më shumë do të ndikojë tek e majta, pasi, edhe një herë, do të ketë përshfaqjen e saj jo si një mendësi e së majtës progresive, por si një rendje drejt pushtetit, me cilin do, me dreqin e me të birin, vetëm që të arrijnë të parët në finish.

E keqja , ose e mira, kjo varet nga këndvështrimi, është se nuk do të ketë kurrë një finish të përbashkët.

Kjo shumicë qeverisëse, përballë një dysheje opozitare, që flet njëlloj, mendon njëlloj, shan njëlloj dhe shfaqet herë pas here, torollake njëlloj, mundet edhe të keqqeverisë…. sepse do të jetë e bindur se mes saj dhe të tjerëve, njerëzit përsëri do të zgjedhin atë./Bedri Islami 

Leave a reply

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *